Flamurtari edhe mund të ndalet nga kundërshtarët, ndërsa administratori i tij, Sinan Idrizi as nuk ndalet e as nuk ka frikë nga “demonët” e zyrave të FSHF-së, edhe pse e kanë paguar më shtrenjtë se kushdo..me minus 6 pikë. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, administrator Idrizi, nuk ka humbur rastin për të dhënë sepktaklin e radhës që rëndon në kurriz të FSHF-së dhe “çifligarit” të saj, siç thotë ai. Shumë vetë kujtonin se 6 pikë të hequra me prepotencë zyrtare gjoja për mangësitë financiare me kontratat, por më shumë për akuzat bombë që lëshon ai, do të ishte çmimi për të qepur gojën dhe për të veshur petkun e të penduarit të Superligës. Por, ndërsa e kërkon në fushë “bomberin” e Flamurtarit, dhe e gjen në ..Stamboll. Idrizi është nga ata që luan me fjalën ashtu siç pretendon që futbollistët e tij të lodrojnë me topin. Fraza e tij mbresëlënëse këtë herë ka kapërcyer orbitën e “oborrit të topit” dhe ka shkuar në fushën e politikës: “ Unë do ta bëj stadiumin në Vlorë pa kullë, ndryshe nga ai që do të bëhet në Tiranë..”
Një frazë me kurajë të tejkaluar për një administrator klubi, në një mjedis kur të vërtetat që dhembin nuk thuhen në studio, por përshpëriten sipas zakonit tradicional të demokracisë në futboll. Kjo frazë e Sinanit është një gol në dy porta: në Vlorë e akuzojnë Sinanin si “mik i ngushtë” i politikës, ndërsa në Tiranë, në tempullin ku mbahet shpirti i lojës, kujtonin se rebelimi i donatorit vlonjat ishte “vrarë” me minus 6 pikë. “ Le të më heqin edhe pikë të tjera – ka thënë donator i paepur për polemika dhe metafora- Futbolli nuk është vendi ideal për prostitucion profesional..”
Sfidanti. al