Rrogë 12 milionë euro kur je 33 vjeç, të lumtë Edinson Kavani!

Një sulmues që ka shënuar 400 gola në karrierë është gjithmonë një garanci. Këtë pati parasysh trajneri i Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, kur vendosi të investonte tek Edinson Kavani. Sulmuesi 33-vjeçar (mbush 34 në shkurt) do të bashkohet me “djajtë e kuq” me një kontratë 2-vjeçare dhe me rrogë 12 milionë euro në sezon. Jo më kot titujt e gazetave ishin se “për Kavanin ia vlejti pritja”. Sulmuesi u mendua për tek Juventusi apo Atletiko e Madridit, por nuk u bë gjë sepse atje shkuan, përkatësisht, Morata e Suarez.

Kavani ka shënuar 353 gola në karrierë me klubet dhe 50 gola me kombëtaren e Uruguajit. Me 200 rrjeta është rekordmeni i Paris SG duke lënë pas Zllatan Ibrahimoviçin, dhe bëhet fjalë për një mesatare prej 0.7 golash për ndeshje. Tek Junajtidi ai nuk do të ketë rol titullari automatikisht, por do të shtojë përvojë në një sulm që përbëhet nga lojtarë të rinj si Rashford, Grinvud dhe Marsial.

Sfidanti.al