Zidan apo Konte? PSG kërkon “bari” për yjet e tij trazovaçë!

Më parë u fol emri i Zinedin Zidanit, edhe pse paksa nën zë. Kur u tha ai i Antonio Kontes, toni ishte më i lartë, ashtu siç ishte shpresa, ndërsa Paris SG më në fund duket se po kupton sesi funksionon një klub futbolli. Presidenti Naser Al Helaifi, dukshëm i pakënaqur me trajnerin e tanishëm, Unai Emeri, po kërkon një autoritet më të madh. “L’Ekip” hap kopertinën me foton e trajnerit të Çelsit dhe me sqarimin: “Pista Konte! Drejtuesit nën presion për një skuadër që duhet rikonstruktuar”.

Zidan dhe Konte njihen si njerëz të fortë që dinë të vendosin rregull në dhomën e zhveshjes, por me koston që të jenë autonomë nga klubi në vendimet e tyre. Eleminimi i PSG-së nga Reali në Champions tregoi diferencën ende të madhe me klubet e shquar, madje u duk se Parisi ishte më dobët sesa vjet, kur të paktën mposhti 4-0 Barcelonën në shtëpi.

Gjithsesi, Al Helaifi duhet ta dijë se ai vetë është më shumë fajtor sesa Emeri, për mënyrën sesi trajtoi Nejmarin, duke i dhënë privilegje që përçanë skuadër, dhe nuk ka gjë më të keqe për një ekip futbolli sesa përçarja. Një Zidan apo një Konte, detyrën e parë që do të bëjnë, do të jetë forcimi i unitetit në kolektiv, dhe pastaj blerjet pompoze.

Sfidanti.al