Reali i Zidanit nuk di sesi shënohen, pret “të piqen rrusht”!

Humbja me Totenhemin në Kupën AUDI ishte e treta në këtë fazë përgatitore. Sezoni zyrtar po afron, veçse trajneri i Realit, Zinedin Zidan, u detyrua të pranonte sërish se “skuadra ime nuk është gati”. Në stadiumin e Bajernit vendosi një gafë e Marselos dhe goli i zakonshëm i Harri Kejnit, por gjithashtu edhe pritjet e shkëlqyera të portierit Kejlor Navas, që nuk lejoi një tjetër katastrofë si ajo ndaj Atletikos.

Mediat spanjolle theksuan se Reali pati lojë të keqe, dobësi në mbrojtje, por gjithsesi më e keqja ishte mungesa e golit. Vetëm Benzema ta mbush mendjen në sulm, ndonëse francezi nuk është një lider siç ishte Ronaldo. Gazeta “Marka” theksoi se shpresat e vetme të madridizmit ishin yjet e rinj si Vinisius, Rodrigo apo Kubo, por kjo do të thotë se Reali po pret “të piqen rrusht”, sepse të rinjtë nuk besohet të jenë gati për këtë sezon.

Madrilenët patën mungesa pasi Joviç është i dëmtuar, ashtu si edhe Kurtua, Mendi e Asensio. Nuk janë pak, por gjithsesi nuk justifikojnë këtë paraqitje. Garet Bejl nuk deshi të udhëtonte për në Mynih dhe Hames Rodrigez po ashtu nuk ishte. Nuk dihet se çfarë Reali do të jetë ai që do të nisë edicionin e ri.

Sfidanti.al