Njëzetedy vjet karrierë dhe 600 ndeshje, Sorrentino thotë “Mjaft”

Le ta themi edhe si në Kosovë, pra “Boll Ma”, dhe këto janë fjalët që ka thënë portieri, tashmë një ish, Stefano Sorrentino. Njeriu që mbush 41 vjeç në mars, vendosi të hiqte këpucët me thumba, dhe po ashtu dorezat, për të vazhduar jetën larg futbollit. “Jam menduar disa muaj, dhe tashmë vendosa të largohem, lamtumirë futboll, lamtumirë miku im më i mirë, – shkruajti ai në rrjetet sociale, – në fund të fundit, është mirë kur largohesh 40 vjeç, jam i lumtur për karrierën që kam pasur”.

Sorrentino ka vendosur të kthehet në Torino, aty ku janë vajzat e tij, dhe është i lumtur të jetojë pranë tyre. Në formë humoristike theksoi se “sulmuesi më i mirë që kam pasur përballë besoj se duhet të jetë Ronaldo, pasi nuk më ka shënuar asnjë herë”. Sorrentino luajti për 22 vjet (1998-2020) dhe ishte në fushë për 600 ndeshje, ndërsa luajti për Torinon, AEK-un e Athinës, Rekreativon në Spanjë, Kievon, Palermon dhe sërish për Kievon.

Sfidanti.al