Nga plumbi në prag të titullit botëror, edhe Anglia ngjan me xhunglën

Emri i tij është Dilian Uajt, është 29 vjeç, dhe bën pjesë tek ata njerëz për të cilët mund të thuhet se jeta u ka ndryshuar si një mrekulli. Djaloshi anglez, i mbiquajtur “Mbreti i Londrës Jugore”, është një javë larg një sfide që mund t’i sigurojë një ndeshje për titull botëror në peshat e rënda në boksin profesionist.

Diliani tregon se që kur ishte i vogël u mësua me kulturën e bandave, pra të kriminalitetit, fillimisht në Xhamajkë dhe pastaj në kryeqytetin britanik, ndërsa pati fat që shpëtoi gjallë. “Ndaj meje shtinë me armë zjarri, më goditën me thikë, më rrëmbyen, por edhe unë ua ktheva “kusurin”, – thotë ai, – kur isha i vogël në Xhamajkë, thuajse vdiqa nga uria, mund të rrija ditë pa ngrënë, ndërsa siguroja jetesën vetëm duke vjedhur e duke shitur ato që vidhja”.

Ky fëmijë i rrugës sot është një burrë 29-vjeçar, i ashpër dhe i pamëshirshëm, siç mund të jetë një boksier profesionist sidomos me prejardhjen e tij, por tashmë i kufizuar nga rregullat e ringut. Ai nuk përton t’ia thyejë hundën partnerit në stërvitje, por pistoletat dhe thikat nuk janë më për të.

Të shtunën e ardhshme, Uajt do të ndeshet me Arenën O2 të Londrës me Lukas Braunin, dhe nëse fiton, mund të ketë të drejtën e një ndeshjeje me kampionin e Federatës WBC të peshave të rënda, amerikanin Diontej Uajlder.

Sfidanti.al