Emisionet televizive menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve u krijuan për të shtuar emocionet për publikun, por të paktën në Shqipër ato nuk ia kanë arritur qëllimit. Formati është po ai, me analistë në studio dhe me trajnerë që “shfryjnë në të nxehtë”, duke mos kursyer akuzat.
Gjithsesi, do të ishte më bukur, sikur secilit trajner t’i vihej përballë deklarata e bërë kohë më parë, kur “moti” ishte krejt ndryshe. Ilir Daja, për shembull, trajneri shembullor i Skënderbeut, sot është i detyruar të thotë se “vendime të gabuara janë marrë edhe kundër nesh”, ndonëse askush nuk mund ta vërtetojë se korçarët janë dëmtuar nga arbitrat, apo se “peshorja” anon nga e keqja.
Vetë Daja kur ishte tek Tirana u masakrua në Korçë deri në atë nivel sa që deklaroi në konferencë për shtyp se “Tiranën nuk e lenë që të fitojë”. Po kështu, Duro fliste ndryshe kur ishte tek Skënderbeu në 2011-ën, dhe ndryshe sot që është tek Flamurtari.
Padyshim gjëja më e bukur që do të bëhej, do të ishte një dokumentar-montazh, ku të vendoseshin pranë e pranë kundërthëniet e trajnerëve. Do të ishte si një film pa dashje “Edhe kështu, edhe ashtu”. Gjithsesi, deklarata më e tmerrshme ishte ajo e Ernest Gjokës, ende pa filluar ndeshja ndaj Kukësit, kur u shpreh se “Teutën nuk e shoh për të rënë nga kategoria”. E tmerrshme sepse Teuta është 8 pikë prapa Kamzës, por për Nestin ajo është favoritja për të qendruar në Superligë.
Sfidanti.al