Prej 400 vjetësh apo më shumë, irlandezët kanë në kalendarin e tyre kombëtar edhe një festë fetare, Ditën e Shën Patrikut. Historia thotë se Shën Patriku ishte prifti që solli krishtërimin në Irlandë shumë kohë më parë dhe për ta nderuar, data e vdekjes së tij, 17 marsi u shpall Ditë Feste, apo Ditë Përkujtimi.
Pikërisht në 17 mars 2018, pra të shtunën, kombëtarja e regbisë së Irlandës fitoi Kampionatin e Gjashtë Kombeve, një lloj kampionati europian i këtij sporti. Fitorja ishte e veçantë, jo vetëm për shkak të ditës kur u arrit, por edhe për shkak të vendit dhe kundërshtarit.
Përkundër gjithë parashikimeve, irlandezët triumfuan në “Mekën” e regbisë, në stadiumin “Tuikenham” të Londrës, duke mundur pikërisht ekipin më të vjetër të botës, Anglinë. Irlanda ia doli në prani të rreth 82 000 spektatorëve me shifrat bindëse 24-15 e duke kryesuar deri 14-0 me lojën e tyre të shpejtë dhe sulmuese.
Kjo ishte fitorja e parë e “jeshilëve” apo e “tërfilave” që nga viti 2009. Ky turne është më i vjetri i botës, nisur në 1883, ndryshuar disa herë, dhe që ka zhvilluar gjithsej 100 edicione. Irlanda ka fituar 14 trofe gjithsej, nga të cilët 4 kampionate të 6 kombeve. Gjithsesi, Irlanda mbetet e parafundit përsa i përket trofeve duke lënë pas vetëm Italinë që ka hyrë në garë në vitin 2000. Anglia mban rekordin me 28 trofe, ndjekur nga afër prej Uellsit me 26, pastaj Franca ka 17 dhe Skocia 15.
Sfidanti.al