Nadal fitoi “Rolan Garosin”, por fitorja më e madhe ishte mbi vetveten!

Nga jashtë duket një rutinë. Rafael Nadali fiton Grand Slemin e “Rolan Garosit” në Paris, diçka që ai e kishte bërë 11 herë më përpara. Suksesi në finale ndaj austriakut Tim, gjithsesi, nuk ishte aspak gjëja më e lehtë në botë, me shumë gjasë, ishte fitorja më e vështirë e tenistit spanjoll. Përtej triumfit 3-1, ku rivalitet pati vetëm në dy setet e parë, Nadalit iu desh të tejkalonte vetveten, për të kaluar atë që e quan si periudhën më të vështirë të jetës së tij.

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, që 32-vjeçari të kishte kaq pak besim në vetvete, sa këtë vit, madje as në vitet e vështira 2015 e 2016. Dëmtimi i fundit ishte thuajse fatal për të, edhe pse arriti në finalen e Australian Openit. Humbja e thellë me Novak Gjokoviçin, pastaj disfatat në Meksikë, Montekarlo, Barcelonë si dhe braktisja e turneve në Indian Uells e Majemi.

Gjithsesi, sot është momenti i suksesit, madje i një triumfi të madh. Nadal u bë rekordmeni në një Grand Slem të vetëm, me 12 tituj në Paris, duke lënë pas legjendën e femrave, australiania Margaret Këurt që fitoi 11 herë Australian Openin.

“Kam qenë shumë keq moralisht, – tha Nadali pas fitores, – është e vështirë kur merr grusht pas grushti, dhe ndihesh i dobët. U mendova gjatë pas humbjes në Barcelonë, nëse duhej të pushoja, apo të ndryshoja, dhe vendosa të ndryshoja regjimin dhe mentalitetin tim. Dalë nga dalë arrita këtu ku jam sot. Natyrisht, “Rolan Garosi” është një trofe me domethënie tepër të madhe për mua, por më i lumtur jam që fitova sfidën me veten. Rekordi i Federerit është një motivim për mua, por jo një fiksim”.

Nadali ka sot 18 tituj Grand Slem, duke qenë vetëm 2 trofe prapa Federerit, që ka fituar më shumë se kushdo në histori. Do të ketë rast ta provojë në Uimbëlldon, në Grand Slemin më të vjetër e më të lavdishëm të tenisit, edhe pse jo ndër më të preferuarit prej tij, të fituar për herë të fundit në 2010.

Sfidanti.al