Kupa e Ligës për Sitin, Guardiola fiton me klas trofeun e parë!

Pep Guardiola fitoi trofeun e parë të tij si trajner në Angli, pasi Mançester Siti triumfoi ndaj Arsenalit në finalen e Kupës së Ligës. Skuadra e drejtuar nga trajneri katalanas pati epërsi të plotë në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Uembli” të Londrës, duke e mposhtur kundërshtarin me rezultatin 3-0.

Kun Aguero shënoi në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, kapiteni Vinsent Kompani dyfishoi shifrat, dhe spanjolli David Silva vulosi fitoren 3-0. Pas një sezoni të parë shumë të vështirë, Guardiola më në fund po përshtatet në futbollin anglez, dhe është shumë pranë fitores së kampionatit. Mançester Siti kryeson Premier Ligën i shkëputur ndjeshëm nga rivalët. Po ashtu, ish-trajneri i Barcelonës, synon të fitojë edhe Championsin, ku skuadra e tij është praktikisht e kualifikuar për në çerekfinale.

Arsenali, ndërkaq, bëri një paraqitje zhgënjyese, dhe trajneri Arsen Venger duket se do të largohet në fund të sezonit.

Sfidanti.al