Infantino biznesmen dhe “vrasës” i lojës

Që në krye të herës kur u zgjodh president i FIFA-s në vitin 2016 u bë e qartë se loja nuk do të ishte më e njëjtë. Gianni Infantino nuk i zhgënjeu pritshmëritë e biznesmenëve ,duke braktisur tërësisht misionin e futbollit si një lojë me karakter tërësisht të kundërt me sjelljet e egra kapitaliste. “Loja e popullit” sot pas 10 vitesh nuk është më e njerëzve të thjeshtë. Kupa e Botës 2026 na vërtetoi në praktikë gjithë logjikën e administratës Infantino për ta vendosur topin në funksion të të ardhurave dhe jo në të kundërt.

Më mirë se kushdo këtë mund ta dëshmojnë qindra-mijëra tifozët europianë, amerikano-latinë, afrikanë, aziatikë dhe australianë që kanë sakrifikuar kursimet e një jete të tërë për të ndjekur në një osë dy ndeshje skuadrën e zemrës. Bileta me çmime marramendëse, distanca të frikshme, pushime në mes të ndeshjeve që një “dreq” e di se kujt i nevojiten dhe perla më e madhe: një finale në versionin “Super Bowl”.

Anglezët që prej vitesh po përballen me privatizimin e sektorit futbollistik nga amerikanët dhe jo vetëm, një Zot e di se sa po luftojnë për ta mbajtur lojën larg interesave kapitaliste, por Infantino në fakt nuk u mendua fare për t’u futur në “shtratin e armikut” sa hap e mbyll sytë.

Përtej servilizmit të dukshëm ndaj Presidentit Trump që ndoshta vë në siklet edhe vetë kreun e Shtëpisë së Bardhë, kreu i FIFA-s ka shkuar edhe më tej. Ai ka aplikuar rregulla të ndryshme nga ato standarte të kalçifikuara në futboll prej kohës dhe dëshirës së europianëve për ta ruajtur sa më shumë këtë trashëgimi nga influencat e globalizimit dhe urisë së pakufijshme të një grupi njerëzish.

Por kush mendon se kjo çmenduri është drejt fundit, gabohet rëndë. Nisi me Botërorin e Klubeve në format “Infantino” dhe do të vazhdojë pas 4 vitesh me Kupën e Botës me 64 skuadra. Një tmerr i vërtetë, vrima e madhe e zezë e grykësisë po tërheq rreth vetes edhe lojën më të preferuar të globit.

Sot është ekrani që na dhuron shijen e barit të fushës, ndërsa fëmijët nuk mundet thjesht as të afrohen pranë kangjellave të stadiumeve që FIFA po i zëvendëson me mure të blinduar.

Futbolli që sot po imponon Infantino është pjellë e talentit që ai ka për të transformuar në para çdo prekje topi, por kjo nuk është loja e njerëzve, ky është sporti i klubit të përzgjedhur të pasanikëve.

Pirro Bardhyli