Krosi i përgjigjet të Shusterit, por duhet të “flasë” me tifozët

Ish-trajneri i Realit të Madridit dhe legjenda e futbollit gjerman, Bernd Shuster, bëri një provokacion në adresë të mesfushorit aktual të ekipit “mbretëror”, bashkatdhetarit të tij, Toni Kros, duke e krahasuar atë me një “traktor që punon me dizel”, ndërkohë që ai duhet të ishte një “audi me dizel”. Pjesëtari i përfaqësueses gjermane (Kros) nuk e vonoi përgjigjen dhe, sikurse duket, i nxehur shkroi në profilin e tij në tëitter: “Kush është ky” (Shusteri)?

Gjithsesi, kjo përgjigje e thjeshtë dhe e shkurtër nuk mjaftoi që Kros të kalojë momentin e vështirë që po kalon. Në duelin e fundit me Barcelonën ai u zëvendësua dhe tifozët nuk është se e vlerësuan aq lart lojën e tij. Në analizën e saj, gazeta “Marka” theksoi se “Kros luan mirë kur skuadra luan mirë, por luan keq kur ekipi nuk është siç duhet, pra nuk ka forcën për të ndikuar”. E pra, përveçse me Shusterin, Krosi duhet të “flasë” me tifozët e Realit.

Sfidanti.al