Konte nxehet me Kapelon dhe analistët: Mendohuni para se të pyesni!

Natyrisht momentet e para pas një humbjeje janë më të vështirat për një trajner futbolli, që është i detyruar të dalë para mediave. Sër Aleks Fergusoni është ankuar shumë dikur për këtë, por televizioni jep paratë dhe Antonio Konte doli në bisedë direkt me studion pas eleminimit nga Championsi të Interit të tij. Trajneri italian vlerësoi se ekipi nuk luajti keq. “Patëm raste, në 180 minuta ndaj Shahtarit kemi dominuar, portieri i tyre ishte më i miri në fushë, – u shpreh ai – ishim të pafat, edhe arbitrat nuk na respektuan në këtë Champions”. Për zëvendësimet, ai tha se nuk donte të humbiste ekulibrin me Sançezin dhe e hodhi kur Lautaro ishte i lodhur.

Trajneri u nxeh me disa pyetje të gazetarëve, sidomos për mungesën e lojës. “Çfarë mungese loje, – u hodh përpjetë, – Shahtari ndryshoi totalisht stilin e lojës për të na përballuar, si mund të kemi pasur problem loje? Mendojini pyetjet para se t’i bëni”. Pati habi për përgjigjen që Konte i dha Kapelos, që i tha se përse Interi nuk ka një plan B. “E kemi planin B, por nuk e kemi treguar, sepse nuk duam që kundërshtari të përgatitet edhe për këtë”, – deklaroi Konte, ndërsa në Itali “plani B”, mund të quhet edhe “ana B”, që nënkupton prapanicën.

Sfidanti.al