Sërish në turin e dytë të Championsit, për të dytin sezon radhazi, dhe është diçka e madhe për një klub kaq të vogël. Atalanta ia doli përsëri në garën më elitare europiane, me fitoren 1-0 në fushën e Ajaksit, veçse atmosfera në Bergamo nuk është aspak e mirë. Një konflikt paska shpërthyer mes trajnerit Gasperini dhe Papu Gomezit, aq sa qenka detyruar klubi që të ndërhyjë. Drejtuesit e pohuan se kanë luajtur rolin e “paqeruajtësit” dhe “zjarrfikësit”, ndërsa Gasperini nuk deshi të fliste shumë, duke hedhur poshtë fjalët për dorëheqje. Nga gjithë Italia vijnë thirrjet plot dashuri që tek Atalanta të vendosin paqen, pasi askush në Apenine nuk do që një histori e tillë e bukur suksesi të marrë fund, për më tepër në një qytet që vuajti kaq shumë nga koronavirusi si Bergamo.
Sfidanti.al