Euro U21: Haxhi e Pushkash, nuk është turp të të mundë Gjermania!

Rumania U21 e emrave sugjestionues më në fund u largua nga Euro U21, por e bëri këtë me kokën lart. Skuadra ballkanike, që kishte në përbërje të saj djalin e George Haxhit, Ianis Haxhin, dhe një lojtar me mbiemër të jashtëzakonshëm, si Xhorxhe Pushkash, u mund në gjysmëfinale nga Gjermania U21, veçse kjo ndodhi vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes.

Gjermanët, me yjet e rinj që pritet të ndihmojnë kombëtaren e madhe që të fitojë sërish Botërorin, luajtën më mirë, ndonëse jo gjatë gjithë kohës. Ata e nisën më fort ndeshjen dhe kaluan në epërsi me anë të Nadiem Amirit në 21’. Më pas, ishte radha e rumunëve që të reagonin dhe të përmbysnin rezultatin, me Haxhin në “regji” dhe Pushkashin si finalizues. Haxhi fitoi penallti, që u kthye në gol nga Pushkashi, ndërsa më pas po Pushkashi realizoi me kokë pas harkimit të Ivanit (44’).

Në pushim, trajneri Stefan Kunc mesa duket kishte gjetur fjalët e duhura motivuese, pasi Gjermania U21 doli me ritëm të lartë. Pati epërsi, por iu desh kohë të konkretizonte. Në 90’, Valdshmit shënoi me goditje dënimi direkte, dhe po me goditje direkte shënoi edhe Amiri në 94’. Klubet e Bundesligës duket se e kanë të garantuar të ardhmen, të paktën përsa i përket “prodhimit” vendas, ku “ajkën” pritet si gjithnjë ta marrë Bajerni.

Sfidanti.al