Dibala “dhjetë me yll”: Edhe Championsin e kemi vetë në dorë!

Këto fjalë duhet t’ia thotë vetes, Paulo Dibala. Argjentinasi i mrekullueshëm i Juventusit, jo gjithnjë në atë nivel ku e duan tifozët dhe ku mund të jetë, sapo kaloi javën më të mirë të sezonit. Katër gola të shënuar në tri ndeshje, me një kualifikim në Champions dhe një ngjitje në krye të renditjes së Serisë A, përmbi Napolin.

I tillë është “La Zhoia”, “gëzimi” apo “lumturia” e tifozëve juventinë. Në fushën e Lacios, ishte minuta e 92-të, plus 30 sekonda, dhe një Dibalë që nuk kishte shkëlqyer aspak shpiku golin më të bukur të sezonit duke i dhënë Juves një fitore të pashpresuar. Në “Uembli”, i mbuluar ashpërsisht nga mbrojtësit anglezë të Totenhemit, gjeti “vrimën e miut” për të shënuar golin e dytë dhe të kualifikimit për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ndaj Udinezes, këtë të diel, shkëlqeu si rrallë ndonjëherë, duke shënuar dy gola e duke i lënë penalltinë me altruizëm, Gonzalo Higuainit. Argjentinasi tjetër gaboi, por u shlye duke i dhënë një asist Dibalës për një gol të lehtë.

“Gjithçka e kemi në dorë vetë për objektivat e sezonit, – shprehet tani Paulo, – Serinë A, Kupën e Italisë dhe Championsin mund ta fitojmë nëse luajmë siç duhet. Sa për penalltinë, punë e madhe që u humb një, me Higuainin kemi një pakt, kur shënon njëri, gjuan penallti tjetri, dhe anasjelltash. Kjo është shoqëria e duhur, “kompanierismo”! Dibala ka shënuar 101 gola në karrierë, nga të cilët 62 me Juventusin.

Sfidanti.al