Interi krenari për 110-vjetorin, ndal Napolin e ndihmon Juven

Përfundon 0-0 supersfida e javës në Serinë A, në stadiumin “San Siro”. Interi, krenar për ditën e 110-vjetorit të themelimit, ndaloi Napolin dhe i bëri nder Juventusit që të shkëputet i vetëm në krye, edhe pse ka një ndeshje më pak.

“Interi anulon Napolin”, ishte menjëherë titulli i “La Gazeta delo Sportit”, me zikaltërit që u mbrojtën fort dhe u përpoqën të kundërsulmonin. Nuk shënuan dot, edhe pse patën dy raste të mira, ndërsa napolitanët rrezikuan vetëm një herë seriozisht me Insinjen. Elseid Hysaj ishte sërish titullar dhe luajti deri në fund duke qenë “kolonë” e vërtetë në krahun e djathtë.

Me këtë barazim, Juventusi ngjitet në 71 pikë ndaj 70 të Napolit, ndërsa ka një ndeshje më pak të luajtur, dhe po ashtu ka ndeshjen direkte me Napolin në Torino. Një avantazh aspak i vogël, aq më shumë për një ekip me mjaft përvojë, edhe pse i angazhuar në Champions.

Nëse rezultati i prishi punë Napolit të trajnerit Sarri, padyshim nuk ishte plotësisht pozitiv as për Interin e trajnerit Spaleti. Diferenca me Milanin tani ka zbritur në 6 pikë, ndonëse shanset janë që të kalohet Lacio (nëse fitohet derbi që u shty) dhe të përfshihet sërish në zonën Champions.

Sfidanti.al