Telashe te Manchester United, 15-vjeçari JJ Gabriel kërkon largimin nga klubi

Situatë e papritur te Manchester United. JJ Gabriel, i konsideruar si një prej talenteve më premtues të futbollit anglez dhe i mbiquajtur “Messi i vogël”, ka kërkuar të largohet nga klubi në moshën vetëm 15-vjeçare. Sipas “Daily Mail”, Gabriel ka kërkuar zyrtarisht të bëhet lojtar i lirë, duke befasuar drejtuesit e “Djajve të Kuq”. Vendimi vjen menjëherë pasi sulmuesi i lindur në vitin 2011 hyri në historinë e klubit, duke u bërë futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë me ekipin e parë të Manchester United. Gabriel u aktivizua në miqësoren e verës ndaj Atletico Madridit, të zhvilluar në Stokholm.

Talenti anglez kishte lënë gjurmë edhe te ekipet e moshave, ku shënoi një “tripletë” në Youth League ndaj Sabahut dhe kishte bindur trajnerin Michael Carrick për potencialin e tij, aq sa ishte planifikuar të grumbullohej për ndeshjen e Kupës së Ligës kundër Brightonit. Megjithatë, situata ndryshoi papritur. Gabriel dyshohet se ka fshirë nga rrjetet sociale çdo referencë për Manchester United dhe nuk është paraqitur në stërvitjen e fundit. Klubi nuk e konsideron çështjen të mbyllur dhe shpreson ende të gjejë një zgjidhje. Sipas rregullave të Premier League, regjistrimi i një lojtari të ri mund të anulohet vetëm me pëlqimin e klubit, futbollistit dhe prindit ose kujdestarit ligjor. Në mungesë të një marrëveshjeje, vendimin do ta marrë vetë liga. Ndërkohë, interesi për Gabriel është i madh. Pas një sezoni ku shënoi më shumë se 20 gola me U18 të Manchester United, talenti anglez është në radarët e Manchester Cityt, Arsenalit, Real Madridit dhe Bayern Munichut.