Barcelonë, “luftë civile” në mes të koronavirusit, Bartomeu i vetmuar!

Konfliktet kanë qenë të ashpër gjatë gjithë këtyre muajve, madje kohët e fundit krejtësisht “açik”. Gjithsesi, ajo që ndodhi natën e fundit tek Barcelona mund të quhet një “luftë civile” e shpërthyer plotësisht. Gjashtë anëtarë të bordit drejtues dhanë dorëheqjen në një shenjë të qartë kundërshtie ndaj presidentit Zhozep Maria Bartomeu. Të dorëhequrit janë zv.presidentët Emil Ruso dhe Enrike Tombas, drejtorët Silvio Elias, Maria Teishidor, Zhozep Pont, si dhe sekretari i bordit, Zhordi Klasamilia. Ata u larguan ndërsa publikuan një letër, ku shkruhej se “e kemi informuar presidentin Bartomeu për vendimin tonë të pakthyeshëm për të dhënë dorëheqjen nga pozicionet tona në klub”.

“Mendojmë se nuk kemi mundësi ta ndryshojmë mënyrën sesi po drejtohet klubi përballë sfidave të rëndësishme të së ardhmes, sidomos pas pandemisë, – shkruhej më tej, – po ashtu, duam të theksojmë zhgënjimin tonë për incidentin fatkeq lidhur me adresat e mediave sociale, të njohur si “Barçagejt” në shtyp. Kërkojmë që sapo të përfundojë auditimi i brendshëm, rezultatet t’u dorëzohen atyre që u korrespondojnë”. Kjo u shtohet dy përplasjeve publike të Mesit me klubin, si dhe krizës së koronavirusit, me Barçën që duket se nuk është në gjendje të sigurojë pagesat e rrogave, pavarësisht uljes së madhe të premtuar nga yjet e skuadrës.

Sfidanti.al