Van Niekerk, Usain Bolt gjen pasardhësin në Afrikën e Jugut

Për atletin xhamajkan Usain Bolt, që pak ditë më parë fitoi trofeun e “Atletit më të mirë të vitit 2016”, tërheqja nga sporti është në prag. Ky sezon ka qenë mjaft i mirë për sprinterin xhamajkan, që fitoi 3 medalje të arta në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Por në Olimpiadën braziliane, protagonist ishte edhe atleti afrikano-jugor, Uaid Van Niekerk, që fitoi medaljen e artë në 400 metra, duke thyer rekordin e Majkëll Xhonson. Pikërisht 24-vjeçari afrikan konsiderohet nga Bolt si pasardhësi i tij, si një kandidat i mundshëm për të thyer rekordet e tij në të ardhmen.

“Ëayde është i shpejtë dhe ka të gjitha karakteristikat për të bërë më mirë se kaq. Ai është një kampion dhe këtë vit arriti të thyejë rekordin e Michael Johnson, gjë që nuk mund ta realizojë çdokush”, tha Bolt, referuar kolegut të tij. Kohët e fundit është përfolur shpesh, për një duel mes tyre në një distancë të mesme, atë të 300 metrave, për të provuar se kush është më i shpejti. Van Niekerk ishte një ndër finalistët për trofeun e atletit të vitit, çmim që mund ta marrë pas një viti, nëse arrin të triumfojë në Botërorin e ardhshëm, ndërkohë që mund të shënjestrojë edhe rekordet e Bolt.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *