Uestbruk ndez NBA-në, Oklahoma harron Kevin Durantin!

Lebron Xhejms mund të jetë “Mbreti”, Stefën Kërri” mund të jetë “vrasësi me fytyrë fëmije”, por NBA ka një personazh tjetër për “Showman”. Njeriu i spektaklit quhet Rasëll Uestbruk, padiskutim emri më i shkëlqyer i sezonit, përveçse basketbollisti më i kompletuar fizikisht dhe atletikisht në ligë. Me 35 pikë të shënuara në koshin e Klipersave brenda në Los Anxhelos, udhëheqësi i ri i Oklahomës vazhdoi serinë e paraqitjeve të shënuara në edicionin e ri.

Katër ndeshje, katër fitore për Oklahomën që duket se e ka harruar ish-numrin 1, Kevin Durantin, që shkoi në verë tek nënkampionia Golden Stejt. Pa Durantin, u mendua se “Thandër” (Rrufeja) nuk do të ishte më aq e fuqishme sa vitet e kaluara, por dëgjojeni përgjigjen e Uestbrukut.

Lideri i ri është shënuesi më i mirë i NBA-së deri tani me mesataren 37.8 pikë për ndeshje, është numri 2 në ligë për asistet, dhe një nga më të mirët në tabela. Me një fjalë, i kompletuar edhe pse nuk është shumë shtatlartë.

Oklahoma është në vendin e parë në Konferencën Perëndimore, duke lënë pas Golden Stejtin, San Antonion dhe Klipersat nga Kalifornia, si dhe duke u menduar si rivale e fortë e kampiones Klivlend, që po dominon Konferencën Lindore. Shpresa e tifozëve është që Uestbruk të mos lodhet, por të mbetet në këto nivele deri në fund të plej ofit.

Gazeta “Los Anxhelos Tajms” e quan Rasëllin “një forcë e natyrës” dhe thotë se largimi i Durantit i ka dhënë atij hapësirën dhe mundësinë për t’i bërë gjërat siç di vetë.

B. Kuka