Serena në gjysmëfinale me nerva, përse u gjobit 10 000 USD?!

Turneu më i madh i botës në tenis po arrin në fazën kulmore. Në fushat më të mira të barit në botë, në Uimbëlldon, u luajtën çerekfinalet e femrave, katër ndeshje të forta që përcaktuan më të mirat. Ylli në Londër ishte padyshim Serena Uilliams, dhe amerikania 37-vjeçare nuk zhgënjeu. Ajo fitoi ndaj patriotes së saj, Elison Riske, pas një përballjeje të fortë në fushën qendrore të Uimbëlldonit.

Setet ishin 6-4, 4-6 e 6-3, dhe Serena vazhdon ta synojë titullin e parë Grand Slem që nga janari i 2017-ës, edhe pse dha një paraqitje të dobët. Serena ka 23 Grand Sleme të fituar dhe dëshiron të barazojë rekordin botëror të australianes Këurt. “Jam e lumtur që ia dola, – u shpreh ajo, – dy javë më parë nuk do ta kisha fituar këtë ndeshje, dhe Elisoni po luante vërtet shumë mirë. Doja patjetër të arrija në katër më të mirat e Uimbëlldonit, gjë që nuk ndodh çdo ditë”.

Gjithsesi, Serena nuk ka qenë e qetë këto ditë. Mediat britanike shkruajnë dhe botojnë foto duke treguar se ajo ka qenë tepër e nervozuar me veten, për gabimet në stërvitje, duke përplasur disa herë raketën përtokë, e duke dëmtuar fushën ku po ushtrohej bashkë me motrën e saj, Venusin. Kjo bëri që 37-vjeçarja të gjobitej me 8 000 paundë stërlina, apo rreth 10 000 USD.

Uilliams do të ndeshet në gjysmëfinale me çeken Barbora Stricova, që i habiti të gjithë duke mundur favoriten vendase, Xhohana Kontën. Veterania 33-vjeçare triumfoi 2-0 me sete, 7-6 e 6-1.

Në gjysmëfinalen tjetër do të luajë rumunia Simona Halep ndaj bjelloruses Elina Svitolina. Halep, numri 7 i turneut arriti në gjysmëfinale për herë të parë në 5 vjet, pasi kaloi kinezen Çan Shuai, me një fitore të ngjashme me atë të Stricovës, 7-6 e 6-1. Svitolina mundi çeken tjetër, Karolina Muçova, duke arritur suksesin po në dy sete, 7-5 e 6-4.

Sfidanti.al