Leonardo: Ku shkon Nejmar,  ke edhe 3 vite sipas kontratës

Leonardo tani është ai që “bën ligjin” te PSZH-ja, kur është fjala për shitblerjen e lojtarëve. Sapo u kthye te ky klub francez, pasi bëri një vit si drejtor sportiv te Milani, ai u ndodh përballë një presioni të madh qysh në muajt e parë si drejtor sportiv, në radhë të parë, për shkak të dëshirës së madhe që kishte shprehur bashkatdhetari i tij, Nejmar, që të largohej nga Parisi.

Sidoqoftë, PSZH-ja i shpalli dje “luftë” futbollistit brazilian, duke e paralajmëruar atë me dënim të ashpër, sepse Nejmari nuk u paraqit në seancën stërvitore të parë të fazës përgatitore. Në këto kushte, u prononcua vetë Leonardo, duke deklaruar:

“Unë nuk mund t’ju bëj të ditur juve të gjithë detajet e bisedës sime me Nejmarin, por mund t’ju them një gjë që është e qartë: në bazë të kontratës, Nejmari duhet të qëndrojë te PSZH-ja edhe tre vite të tjerë, ndërkohë që deri tani ne nuk kemi marrë asnjë ofertë zyrtare për të. Ai mund të largohet nga PSZH-ja, nëse do të vijë një ofertë që do t’i kënaqë të gjithë. Ne nuk kemi marrë ndonjë ofertë nga Barcelona, megjithëse jemi në kontakt me këtë klub. Kemi patur kontakte të sipërfaqshme, gjatë të cilëve na është bërë e ditur se ky klub do të donte që ta blinte Nejmarin. Megjithatë, ne nuk jemi klub që i shet lehtë lojtarët. Tani për tani, ne nuk kemi konstatuar te Barça ndonjë qëndrim se ajo me të vërtetë do që ta blejtë Nejmarin”, deklaroi Leonardo.

Sfidanti.al