Lebroni shijoi fitoren me Golden Stejtin … nga stoli!

Udhëheqësi këtë herë ishte Entoni Dejvisi dhe dueli nuk ishte nga ata të zjarrtët e viteve të kaluara, kur Xhejmsi vihej përballë Uorriorsëve. Golden Stejti i sotëm është “gjysmagjel”, dhe prandaj Lejkërsat vendosën t’i jepnin pushim Lebronit pikërisht në këtë ndeshje. “Mbreti” i basketbollit nuk përtoi aspak dhe udhëtoi me skuadrën (një rrugë e shkurtër deri në San Francisko), dhe e ndoqi ndeshjen i veshur me kostum civil. U kënaq edhe nga fitorja, por edhe nga fakti se gjyqtarët përjashtuan edhe nga stoli, “grindavecin” e Golden Stejtit, Drejmond Grinin.

Dejvis ishte më i miri në fushë për Lejkërsat me 23 pikë, 6 topa në tabela, 1 asist, 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Jo keq për 25 minuta lojë, pasi dueli u bë si një stërvitje në gjysmën e dytë të tij, kur skuadra nga Los Anxhelosi u shkëput dhe fitoi 116-86. Kuptohet, Golden Stejti nuk ka ende të dëmtuarit e shquar Stefën Kërri e Klej Tompson, ndërsa Kevin Duranti është larguar. Lejkërsat kryesojnë në Perëndim me 45 fitore e 12 humbje, duke qenë skuadra e dytë më e mirë në NBA.

Sfidanti.al