Euroliga zgjedh më të mirët, Xhejmsi i CSKA-së dhe Vilurbani i Francës!

Një individ dhe një skuadër ishin më të mirët e javës. Euroliga, kampionati i dytë më i fortë i basketbollit në botë pas NBA-së, nuk pati dyshime për të përzgjedhur të spikaturit e ndeshjeve të para të sezonit të ri. Individi është tepër i njohur, amerikani Majk Xhejms, ndërsa skuadra e rikthyer ishte thuajse duke u harruar, Vilurban e Francës.

Xhejmsi shkëlqeu për CSKA-në e Moskës, kampionen në fuqi të Europës, duke shënuar 20 pikë, e duke u vlerësuar me koeficientin 28, më të lartin nga të gjithë basketbollistët në javën e parë. Amerikani 28-vjeçar, shënuesi më i mirë i Euroligës vjet me Milanon, ishte i përsosur në gjuajtjet nga fusha, me 5 realizime nga 5 për dy pikë, dhe me gjuajtjen e vetme tripikëshe të shënuar. Xhejms shtoi edhe 5 asistë, 2 topa në tabela, si dhe pësoi 6 faulla nga kundërshtarët. CSKA-ja e nisi aty ku e la vjet, madje edhe më fuqishëm, me një fitore të thellë, 96-71, në fushën e vështirë të Valencias në Spanjë.

Vilurbani, ndërkaq, bëri një rikthim të madh. Kishte 10 vjet që skuadra më e shquar franceze nuk kualifikohej për në Euroligë, ndaj edhe pritshmëria ishte magnetike. E njohur me emrin ASVEL, kampionia në fuqi të Francës, arriti një fitore të mrekullueshme, 82-63 ndaj një superfuqie si Olimpiakosi i Pireut.

Vilurbani është rekordmen i titujve në Francë, me plot 19, dhe në vitet 70-të iu afrua shumë trofeve europianë, pa i arritur dot përballë konkurrencës së klubeve spanjollë, italianë, jugosllavë apo sovjetikë. Sot, aksionet i ka legjenda e Francës dhe e NBA-së, Toni Parker, njëkohësisht president, ndërsa skuadra drejtohet nga trajneri i Malit të Zi, Zvezdan Mitroviç. Shpresat janë të mëdha që ajo që nuk realizua dot 40 vjet më parë, të bëhet sot.

Sfidanti.al