Fundi i Poçetinos? Si mund të thuhet kjo për finalistin e Championsit!

Totenhemi është një klub i vjetër dhe i lavdishëm në Angli, por jo Reali i Madridit apo Bajerni i Mynihut. Shumë pak trajnerë në histori kanë mundur ta ngrenë në nivele të tilla, dhe njëri prej tyre është Maurisio Poçetino. Sërish, tekniku i vlerësuar si një nga më të mirët në botë, po trajtohet si ndonjë boksier në prag të nokautit, i mbështetur tek litarët, dhe i goditur me dëshirë për t’i dhënë “plumbin” e fundit.

Disfata 0-3 e pësuar pasditen e sotme ndaj Brajtonit në Premier Ligë nuk e ndihmoi aspak, përkundrazi, dhe analistët, shumica dërrmuese ish-lojtarë e ish-trajnerë, nuk patën mëshirë, duke harruar se e kanë provuar vetë sesa i vështirë, i pabesë dhe i verbër është shpesh herë futbolli. Nuk besohet se argjentinasi ka provuar shumë javë kaq të këqija sa kjo, në karrierë, me humbje 2-7 ndaj Bajernit e 0-3 kundër Brajtonit.

Kundërshtarit i duhet dhënë merita e duhur për fitoren e thellë, ndërsa yjet kryesorë të skuadrës, Eriksen, Kejn, po ashtu mbrojtësit, patën një ditë për t’u harruar. Edhe më keq, Hugo Joris, pasi portieri dhe kapiteni u transportua i dëmtuar, me maskë oksigjeni, vetëm 2 minuta pas fillimit.

Çfarë pritet të ndodhë me Poçetinon? Vështirë që presidenti Levi ta shkarkojë, por shpresohet që gjendja të mos jetë pa kthim, sepse ndryshe as për një trajner të tillë nuk ka shpëtim. Më mirë duhet thënë se ky do të ishte fillimi i fundit për këtë cikël të Totenhemit, pasi Maurisio Poçetino do ta kishte shumë të lehtë të gjente një tjetër punë shumë të mirë.

Sfidanti.al