“Vdes Maliqi”, mirësevini në botën e ligjit president, anetarë të Komitetit!

Së fundmi u mor vesh se një gjyqtare paska patur guximin t’i kthejë mbrapsht FSHF-së kërkesën për regjistrimin e vendimeve të asamblesë shumë të perfolur të datës 7 Shkurt 2018. Për ata që kuptojnë dicka nga ligji ky veprim i gjykatës përkthehet në “Duka s’qënka kryer akoma si president i FSHF” apo “ai zotëria i kompanisë së madhe të ndërtimit që ngre stadiume e kulla s’qënka pagëzuar akoma  anëtar i komitetit të futbollit”.

Sigurisht që për të mos e lënë në errësirë dhe panik publikun, institucioni me seli të përkohëshme në rrugën e Elbasanit  e sqaroi flakë për flakë situatën. Ata siguruan që s’bëhet fjalë për probleme serioze por vetëm për ece-jake formale, fare të rëndomta dhe të bezdisëshme të cilat nuk dihet se për ç’arsye nuk janë kryer ende (ndoshta për mungesë personeli sepse thuhet që FSHF punon me staf shumë të limituar). Kur c’do gjë që kërkohet të jetë bërë gati e ata t’ja kenë përplasur në tavolinë asaj gjyqtareje tekanjoze, atëhere s’do ketë më asnjë pipëtimë dhe zëre se kjo çështje nuk ka ekzistuar kurrë. Shumëkush bile duke dëgjuar këtë sqarim nëpër rreshta lexoi: “mos u gëzoni kot o armiq, ne pushtetin se lëshojmë, s’ka gjykatë që na pengon, shihemi në vitin 2022”.

Po a janë gjërat vërtet kaq të thjeshta sa i bëjnë djemtë e rrugës së Elbasanit? Duke lexuar vendimin e gjykatës përgjigja është.. jo. Sepse edhe sikur djemtë të arrijnë t’i qëndisin me ar dokumentat që do dërgojnë në gjykatë me to nuk do të mund të provojnë dot se të ashtuquajturat shoqata rajonale të futbollit janë anëtare të rregullta të federatës. Sepse mandatet e shumë delegatëve votues në Asamble janë letra pa kuptim ligjor për të mos thënë akte të fallsifikuara. Sepse llogaritë e votave që morën ata që komisioni shpalli fitues për në komitetin ekzekutiv nuk dalin … e kështu mund të vazhdohet gjatë me “sepse”.

Jam i sigurtë se këto fjalë dhe arsyetime tingëllojne si “aliene” për  veshët “federativë” të mësuar që çështjet i arsyetojnë gjithmonë me togfjalëshat “e di Ai”, “e rregullon Ai”. Po ja që realitetet po ndryshojnë. S’na mbetet vecse t’i ngushëllojmë dhe ti urojmë: Mirësevini në botën e ligjit. Eshte ca e bezdisëshme, por duhet të mësoheni me të.

 

Edvin Meraku