Pse drejtuesit e futbollit janë mërzitur me dyshimet e shqiptarëve?!

Dikur, ishte një skeç i Estradës së Fierit, që bënte fjalë për kohën e luftës në Shqipëri. Thelbi i skeçit ishte që lufta ishte bërë kaq e ngatërruar saqë nuk po merreshin vesh miqtë dhe armiqtë, dhe një batutë ishte e tillë: “Partizani ishte veshur si partizan, që ta merrin për ballist”. i tillë është kthyer edhe futbolli shqiptar këto kohë, ku për lehtësi studimi, më mirë marrin në analizë Superligën.

Dikush nga ekipi i Luftëtarit thotë privatisht se ndeshjet e Kupës ndaj Partizanit u fituan drejt, dhe se nuk pati lënie. Një tjetër thotë se nuk kishte asnjë orientin për ndeshjen e Superligës, pikërisht Luftëtari-Partizani (1-3), e cila siç duket “u ndriçua nga fryma e shenjtë” pas fitores së Kastriotit me Kukësin.

Dikush thotë se Tiranës po ia fusin aleancat, njëri kundërshton se Tirana ka marrë 8 penallti duke humbur shumicën, pra ndoshta ndonjë “aleat” i aleatëve do të jetë brenda Tiranës. Ka nga ata që thonë se duke qenë vit elektoral, sidomos për pushtet vendor, kjo do të ndikojë shumë në rezultatet dhe në renditjen. Një tjetër kundërshton e thotë se pak klube janë të bashkive.

Një emërues i përbashkët është se pavarësisht se kush është “ujku” e kush “gjurmët”, besueshmëria e futbollit shqiptar është në kuotat më të ulëta, dhe logjika është shumë e thjeshtë kur vendos se nuk ka pasojë pa shkak. Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, ishte më i fundit nga bota e futbollit që akuzoi shqiptarët se dyshojnë në çdo gjë, kjo linjë ka qenë vazhdimisht edhe e presidentit Duka. Mbetet që populli shqiptar t’u kërkojë falje këtyre se ka nivel kaq të ulët sa nuk po kupton se këta po bëjnë ç’mos që futbolli ynë të ngjitet në nivelet më të larta.

Sfidanti.al