“Kartolinë për lamtumirën”, Hazar do ta lerë Çelsin në Champions

Tapetin e kuq në Madrid e kanë gati për të. Eden Hazar ishte parashikuar nga Zhoze Murinjo si lojtari i vetëm që mund të luante në nivelin e Mesit e të Ronaldos, dhe belgu tregoi diçka nga talenti i tij në fitoren e Çelsit kundër Uest Hemit. Me dy gola të shënuar, i dyti vërtet prej klasi, numri 10 sikur deshi t’u bënte tifozëve kartolinën më të bukur të lamtumirës.

Nuk ka thuajse asnjë dyshim që Hazar do të shkojë tek Reali këtë verë, por pas shumë vitesh me fanelën blu, ai dëshiron që të jetë një ndarje me dashuri me tifozët e brohoritën vazhdimisht. Mënyra më e mirë për ta bërë, në këto kushte, është duke ndihmuar Çelsin që të kualifikohet për në Champions, dhe kjo bëhet vetëm me fitore e me gola. Pas humbjes së Arsenalit në fushën e Evertonit, blutë e Londrës patën shansin që e shfrytëzuan falë Hazarit.

Çelsi është në vend të tretë me 66 pikë, ndaj 64 të Totenhemit, 63 të Arsenalit e 61 të Mançester Junajtidit. Totenhemi e Junajtidi kanë një ndeshje më pak, por shanset për blutë janë të mira.

Sfidanti.al