Kombëtarja me “këllqe të huaja”, FSHF rri e vështron!

Nuk ishte gjë e vogël, që në ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, kombëtarja të kishte në përbërje vetëm 4 lojtarë të dalë nga kampionati shqiptar, dhe prej tyre vetëm dy në fushën e lojës. Po ashtu, nuk ishte gjë e vogël “ulërima popullore” pas disa rezultateve të ekipeve kombëtare të moshave, “ulërimë” që tregonte “me gisht” fajtorët në përzgjedhjen e lojtarëve.

Gjithsesi, në FSHF duket se janë krejtësisht të kënaqur. Jo vetëm nuk pati analizë për trajnerët e kombëtareve “U”, as nuk pati “hulumtim” të plotë për ata që u vendosën, dhe as nuk u bë ndonjë “skaner” për mënyrën sesi funksionojnë akademitë e klubeve apo ato private.

Vetë presidenti I saj, Duka, në intervistën e fundit televizive deklaroi se “nuk është nevoja për të bërë revolucion”. Nëse do të kishte qenë e mundur të merreshin intervista nga prindërit dhe fëmijët që luajnë futboll, ata do të thoshin sesa euro duhen për të arritur këtu apo aty, sesa ndërhyrje ka nëpër akademi, dhe deri që jepen lekë për të fituar ndeshje në kampionatet e moshave (!!!).

Të mos flasim për Superligën, ku klubet I kanë financat gropë të zezë, I kanë tribunat pa tifozë, herë për shkak dënimesh, herë për shkak indiferentizmi të njerëzve, por përsëri premtojnë rroga shumëmilionëshe! Përgjigja e presidentit ishte se “nuk mund të themi se blihen dhe shiten, sepse e thonë bastexhinjtë”.

Ai mori shembull dikë që “humb një skedinë 1 mijë lekëshe dhe thotë se u shitën edhe Mesi me Ronaldon”. E vërtetë që kështu ndodh, por kjo thjesht pohon se përderisa ekzistojnë bastexhinjtë që vendosin skedina 1 mijë lekëshe (se aq kanë), ekzistojnë edhe ata që vendosin skedina me 50 000 euro (që, I kanë e I kanë).

Sfidanti.al