Gjest kamikaz i Superligës:  edhe s’ka tampone, edhe është ..gati!

Pse bien këto daulle për padurimin e Superligës për të rifilluar kampionatin? Përse futbolli po përgatitet të bëjë gafën e radhës në “takimin e dytë” me Covidin? ( eprori  ynë  tha se nuk është gjë tjetër, veçse një grip i radhës). Edhe Bundesliga, kampionati më i disiplinuar, që ishte kthyer keto ditë, në një objekt lakmie dhe admirimi për gjithë Europën, pas asaj që ndodhi këto javë me ekipin e Drezdenit, dy raste pozitive,  ka shkaktuar një valë mosbesimi! Po Superliga ku e gjen gjithë këtë kurajë,  që cakton e dhe datën se kur do të “rilindin” ndeshjet  dhe kur do të “vdesë” Covidi.. pikërisht më 31 maj! Nuk mund të ketë një rast të dytë në Europë, qoftë edhe në Botë, që në një kampionat, në të cilin u bënë  muaj që nuk paguhen futbollistët,  pra një garë e  leckosur nga financat, të dalë publikisht dhe të “trukojë”  edhe ndeshjen me epideminë,  duke thënë se “ Ne duam të fillojmë, por Qeveria nuk i bie bilbilit”.

Thonë se nxitimi i Superligës, pra këmbëngulja e shefave për të filluar kampionatin,  ka dy teori  që sundojnë mbi të tjerat. E para duket “prindërore”:   Duan të fillojnë sa më shpejt se gjoja  kanë hallin të mos harxhojnë shumë para me ato 30 mijë lekashat që po ndajnë ndër klube. E dyta ka helm në kupë,  meqë  mbart  teorinë  konspirative se,  në këto momente, po guxove dhe dole në fushë, edhe pa tamponë si puna jonë,   vlera më e madhe vjen nga kompanitë e basteve, të cilat gjatë krizës virale e kanë mbajtur shpirtin me pikatore vetëm me kampionatet “rebele” që nuk ndaluan si në Nikaragua apo në..Honolulu!

Sfidanti.al