Gëlltit një lugë nga.. Kupa e Shqipërisë, dhe  gënjeshtra duket si e vërtetë!

Nëse në Superligë  ka ndeshje që shpëtojnë  nga skenari  i komanduar , në Kupën e Shqipërisë, duket sikur  është e ndaluar të lodhesh për të aktruar rolin deri në fund   . Prej vitesh, të gjithë kemi bërë paktin me pokerin  zyrtar,  ku njëra palë  luan me karta të hapura për të zbuluar fituesin, kurse pala tjetër, ajo popullore, bën sikur nuk sheh, ngaqë do të befasohet në fund.  Këtë moral  të pamoralshëm, Kupa e ka fituar me “punë”, aq sa mund të thuhet se “Kupa e Shqipërisë”  nuk është gjë  tjetër veçse  një kupë me helm ,  që  sherbehet  si lëng  jetik, pa të cilin trupi i futbollit nuk do të mbahej  dot në këmbë. Një lugë nga ky lëng është i këshillueshëm për të kuptuar më mirë mesazhin e ndeshjes  gjysmëfinale  të Kupës, midis Skënderbeut dhe  Flamurtarit,  ku brendia e lojës humbi gravitetin  mbi të cilin qëndronte..

Humbi Skënderbeu  në Korçë,  duke zbuluar edhe njëherë publikisht se “protesta”  ndaj  megadënimit  të UEFA-s, nuk është më në sheh, por ka zbritur në fushë.  Dikur, kur luanin kundër Flamurtarit,  nga fusha dëgjoheshin dhëmbët dhe këmbët që kërcisnin, këtë radhë “armiqtë”  nuk kishin nerva, por dhuronin gabime  të denja për..të mbushur  Kupën .  Pale kur kujton se u dërgua në koshin e mbeturinave edhe një penallti e shpikur nga arbitri  Jorgji, si për të treguar “finskëri” edhe në ditët që nuk luajnë për fitore…

Skënderbeu ka dashur të “vrasë” veten  apo e vrau Flamurtari? Kjo pyetje nuk vlen një grosh kur flitet për ndeshje kupe, ndaj   le ta besojmë Flamurtarin kur i bie gjoksit si fitues.Apo trajneri  Duro që paska thënë se për trofeun e Kupës do të kishte firmosur qysh në fillim të sezonit,  duke i dhënë një shkelm të fortë harrese, vandakut  të  7 ndeshjeve të dështuara në kampionat.  Si vjen puna, kur Flamurtari mori vrull në kampionat, duke mbajtur shpesh  në kurriz edhe arbitrat, askujt nuk  ia mbante të vinte firmë se ku do të mbërrinte ky harbim. Tek Kupa,  mund të firmosësh qysh në fillim, por jo me..kokën tënde!

Sfidanti. al