Futbolli shqiptar, thjesht një qendër bisnesi me një fushë në mes…

Eshtë e pamundur të mos mbetesh gjithnjë e më shumë konfuz, për faktin që këtu askush nuk merr përsipër të bëj një punë normale, por në të kundërt gjithmonë sajojnë diçka, që në përfundim ka nevojë të justifikohet me gënjeshtrat e një grupi të vogël, të cilat duhet t’i besojë pjesa më e madhe e njerëzve. Meqenëse janë mësuar prej kohësh t’i japin rëndësi fasadave, të mbështetura nga një propagandë e shfrenuar, e paturp, nuk kishin si të bënin ndryshe edhe me stadiumin e ri. U kujdesën për ngjyrat, për tarifat e mertrave katrorë të ambjenteve të shërbimit, u kujdesën që kryevepra e tyre të mos mungonte në asnjë ekran, të paktën një herë në jave, ndërsa si diletantë mediokër lanë pas dore detajet e rëndësishme teknike, ato që kontrollorëve të huaj u bëjnë më shumë përshtypje se ngjyrat e ndezura të “Arenës Kombëtare”. Dhe tashmë kur biletat shiten, bllokohen dhe dalin sërish në treg, në morinë e ndeshjeve të publikuara në faqen zyrtare të UEFA-s, vetëm takimi Shqipëri – Francë nuk e ka të shënuar emrin e impiantit ku do të luhet.

Ndërkohë që gjendja e kampionatit tonë superior që sot nis javën e 12-të është aq i zymtë, saqë vetëm presidenti i FSHF-së doli blof me parashikimin e tij optimist, se ky i sivjetshmi do të na mahnistë të gjithë. Kështu, pikërisht ato skuadra që përfituan nga amnistia e Dukës dhe u bënë përsëri pjesë e kampionatit, megjithë borxhet dhe dënimet e mbartura, tashmë e kanë kompromentuar garën, aq sa numri i skuadrave të mbetura që kanë ende pak interes për futbollin e luajtur është sa gjysma e numrit të lagjeve të Tiranës. Dhe më e keqja është, se janë po të njëjtët personazhe që vazhdojnë të na gënjejnë, por edhe ne që vazhdojmë t’i besojmë në masë jemi po të njëjtët. E gjithë pjesë tjetër e rajonit, duke përfshirë edhe shtetin e ri të Kosovës, vazhdon të përpiqet për të bërë pak progres në futboll, sipas mundësisë, ndërsa ne po na largohet gjithnjë e më shumë nga këndi i shikimit dhe po na jep përshtypjen e një specie në zhdukje. Të gjithë kanë ndërtuar stadiume sipas mundësive të tyre, ku mund të gjesh edhe ambjente shërbimi, ndërsa tek ne iu mburrën njerëzve që u besojnë, meqë u kanë ndërtuar një qendër të madhe biznesi, me një fushë futbolli në mes… ku do t’i japin edhe një kuti të madhe me medalje presidentit Ceferin.