Tre vjet më parë, kur Liverpuli “shkelte” Sitin në Champions!

Përfundimi i ndeshjes së djeshme në “Anfild” padyshim që solli një lumturi të skajshme në një krah, dhe mallkime të pafundme në tjetrin. Në kampin e Mançester Sitit shkëlqente dielli edhe kur ishte mesnatë, me Ilkai Gyndoganin, Rahim Stërlingun e Fil Fodenin që  u dalluan mbi të gjithë në fitoren 4-1 në “Anfild”, dhe me tifozët e Liverpulit që i dhanë “munxët” portierit të tyre, Alison, për dy gabimet e rënda që ai kreu (madje ishin 3). E pra, çfarë do të kishte ndodhur nëse braziliani nuk do t’i kishte bërë ata gabime, ndërsa rezultati ishte 1-2? Ndeshja padyshim që mund të kishte përfunduar ndryshe.

Gjithsesi, ajo gjë ndodhi dhe Jurgen Klopi thjesht duhet të shikojë se çfarë ndodhi në prill 2018, pra gati tre vjet më parë! Në duelin e Championsit, një Mançester Siti që cilësohej superior (dhe që doli kampion i Anglisë), u “shkel me këmbë” nga Liverpuli duke u mundur në të dyja ndeshjet, 0-3 në “Anfild” dhe 1-2 në “Etihad”! A ishte Siti i Guardiolës aq i dobët sa të eleminohej me dy humbje dhe me golaverazhin 1-5? Padyshim që jo! A është Liverpuli i sotëm aq i keq sa të thyhet 1-4 në shtëpi qoftë edhe nga Siti? Absolutisht që jo.

Sidoqoftë, Klopi ka aq përvojë sa ta dijë se fatit nuk i dilet kundër dhe murit nuk i bihet me kokë. Liverpuli ka një krizë të paprecedentë dëmtimesh me 3 qendërmbrojtësit të dëmtuar. Van Dajku ishte mbrojtësi më i mirë i botës derisa u dëmtua, pretendent për Topin e Artë, dhe mungesa e tij ndihet shumë. Përveç kësaj, Klopi është i detyruar të kthejë në mbrojtje kapitenin Henderson dhe Fabinjon duke humbur dominimin e mesfushës. Mos u habisni pra që Salah e Mane nuk janë ata të dikurshmit, pasi kanë mbetur si “peshku pa ujë”. Liverpuli duhet të mendojë kualifikimin për në Champions, të ecë sa më përpara këtë sezon në Champions dhe të presë kohë më të mira.

Sfidanti.al