Nuk është ende në lartësinë e Kristianos apo të Mesit, por është në elitë. Zllatan Ibrahimoviç kaloi kufirin e 500 golave për klubet në karrierën e tij, me dy rrjeta të realizuara në portën e Krotones në kampionatin italian. Edhe pse 39-vjeçar, suedezi nuk po tregon shenja ndalese dhe padyshim i ka vënë vetes objektiva të tjera. Tashmë, ka 501 rrjeta me fanelën e disa ekipeve si Malmoes, Ajaksit, Juventusit, Interit, Milanit, Paris SG, Mançester Junajtidit apo Los Anxhelos Galaksisë. Këtyre u duhen shtuar edhe 62 të tjera për kombëtaren e Suedisë.
Tashmë, ka 14 gola në vetëm 11 ndeshje të luajtura në Serinë A duke e bërë Milanin të mbajë kreun e tabelës, pavarësisht presionit të Interit dhe Juventusit. Ibra, gjithsesi, u tregua modest pas ndeshjes. “Kjo do të thotë se i kam bërë disa gola në karrierën time, por rëndësi ka që të vazhdoj kështu, – theksoi 39-vjeçari, – që të ndihmoj skuadrën në mënyrën më të mirë. Nuk ishte e lehtë pasi Krotone u mbrojt fort, por rastet vijnë dhe duhet t’i shfrytëzosh atëherë kur i ke”.
Një vlerësim të lartë për të e bëri trajneri Stefano Pioli, por që kujtoi edhe diçka. “Zllatani është një kampion, një kampion që është në formë, që ka motivim të madh, një ambicie të pamasë. Ai ka dëshirë të konkurrojë në çdo moment, dhe kjo e ndihmon që të jetë gjithnjë në nivele të larta. Është e drejtë të theksojmë statistikat e jashtëzakonshme të Ibrës, por nuk duhet të harrojmë as punën e gjithë skuadrës, të shokëve të tij. Fakti që jemi këtu ku jemi, që luajmë këtë futboll që mua më pëlqen, do të thotë se jemi që të gjithë shumë të mirë”.
Dy golat e tjerë për lombardët i shënoi sulmuesi kroat, Ante Rebiç, madje brenda një minute. Me këtë sukses, Milani arriti në 49 pikë ndaj 47 të Interit e 42 të Juventusit, por që ka një ndeshje më pak.
Sfidanti.al