Shpërthimi i Murinjos: Nuk kam për të ndryshuar kurrë!

I ngjan padyshim një “maceje të egër” Zhoze Murinjo. Trajneri portugez shpërtheu në një sulm të vërtetë në konferencën e fundit për shtyp, duke shkelmuar tej gjithë kritikat e duke i bërë një mbrojtje të fortë arritjeve të veta tek Mançester Junajtidi.

“Nuk kam ndërmend të fshihem, të largohem apo të qaj vetëm sepse dëgjova disa vërshëllima nga tifozët, – u lëshua ai, pasi u pyet për ndjenjat e tifozëve në ndeshjen ndaj Seviljes, – kur isha 20 vjeç nuk isha askush në futboll, ishte djali i dikujt dhe isha krenar, ndërsa sot jam 55 vjeç dhe jam ky që jam dhe gjithçka e kam arritur duke punuar fort, me talent dhe mentalitet”.

“Unë mund të isha në një vend tjetër, me titullin kampion në xhep (lexo: si Hajnkes tek Bajerni apo Emeri tek Paris SG), por unë jam këtu dhe do të vazhdoj të jem këtu, ndërsa kam mbështetjen e plotë të klubit. Unë nuk kam ndërmend ta ndryshoj mentalitetin tim”.

“Nuk ka asnjë zëvendësues për punën e madhe dhe për besimin, – vazhdoi ai, – nuk ka asnjë shans. Njeriu nuk mund të ndryshojë dhe unë nuk do të ndryshoj”. Murinjo u kritikua për lojën e Junajtidit ndaj Seviljes dhe jo vetëm për eleminimin, ndërsa sezonin e kaluar fitoi Ligën e Europës. Ai besohet se do të përfundojë në vend të dytë në Premier Ligë, pas Sitit, një përmirësim në krahasim me vendin e 6-të arritur vjet.

“Ekziston një shprehje që mua më pëlqen dhe që nuk e di nëse ju e dini, – u tha ai, në fund, gazetarëve, – çdo mur është edhe një portë. Tek Junajtidi ka unitet, jeta është e bukur dhe ne kemi shumë punë për të bërë. Mirupafshim”. Në total, ai foli me 12 minuta e 22 sekonda, vetëm duke iu përgjigjur një pyetjeje.

Sfidanti.al