Nëse duhej një provë shumë serioze sesa e fortë ishte kjo skuadër, këtë tashmë e kaloi. CSKA e Moskës është tani jo vetëm kryesuese e renditjes në Euroligë, dhe jo vetëm me të gjitha gjasat që ta përfundojë në vend të parë fazën e rregullt, por është edhe favorite e padyshimtë për të fituar trofeun.
Këtë të drejtë ia dha suksesi i madh, edhe pse tepër i vështirë, në fushën e Fenerbahçes, kampiones në fuqi të Europës. Moskovitët triumfuan 81-79 ndaj skuadrës së drejtuar nga gjeniu i stolit, Zheljko Obradoviç, dhe patën pjekurinë të udhëhiqnin në pjesën më të madhe të takimit, pavarësisht mbështetjet së zjarrtë të mbi 12 000 tifozëve në Stamboll.
Për herë të parë këtë sezon, më i miri në fushë ishte një rus, Andrejt Voronceviç, që shënoi 17 pikë, duke realizuar të pesë gjuajtjet për 3 pikë. Ai kapi edhe 4 topa në tabela, ndërsa të rëndësishëm dolën De Kolo (13 pikë, 8 asistë), Higins (15 pikë) e Hajns (15 pikë). Për turqit, më i miri ishte Nikolo Meli me 18 pikë.
Pas 26 ndeshjesh të luajtura, kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në fund, CSKA udhëheq me 21 fitore e 5 humbje, ndjekur nga Olimpiakosi i Pireut dhe Fenerbahçe me nga 18 fitore e 8 humbje. Rusët e trajnerit Itudis kanë shënuar edhe më shumë pikë se cilado skuadër tjetër, 2331 dhe kanë pikaverazhin më të mirë, +274.
Sfidanti.al