Dy shuplaka për Mario Gëcen nga Dortmundi dhe Gjermania

Talenti i tij nuk diskutohet dhe kështu ka qenë gjithnjë, veçse këto nuk janë kohë të mira për Mario Gëcen. Njeriu që shënoi golin e vetëm të finales së Botërorit 4 vjet më parë, sot ndodhet në një pozitë të vështirë, pasi asnjëri nga dy trajnerët e tij nuk po e llogarit seriozisht.

Joakim Lëv i Gjermanisë nuk e përfshiu në kombëtare për miqësoret e radhës ndaj Spanjës dhe Brazilit, përkatësisht në 23 e 27 mars. “Mario ka potencial të pabesueshëm, – tha Lëvi, – dhe është një lojtar të cilit i besoj padiskutim, por për momentin forma e tij nuk është ajo e duhura”.

Shuplaka e parë iu dha nga trajneri i Dortmundit, Peter Shtëger, i cili e kritikoi 25-vjeçarin pas ndeshjes në Salcburg në Ligën e Europës (0-0). “Nuk jemi të kënaqur nga Mario me aq sa ofroi, – u shpreh ai, – ne duam nga Mario pasime cilësore, të krijojë rrezikshmëri, të ndihmojë skuadrën në thellësi, por këto nuk ndodhën”.

Në pjesën e parë, Gëce bëri vetëm 7 vrapime të shpejta (sprinte) dhe asnjë driblim. Supertalenti që shkëlqeu me Jurgen Klopin dhe pati krizë të plotë tek Bajerni, kohët e fundit më shumë ka dalë nëpër media në fotografi me të dashurën sesa si futbollist.

Sfidanti.al