Reali e Ronaldo morën edhe hakun e Totenhemit ndaj Juventusit

“I zuri haku i tjetrit”. Kështu do të shprehej ndonjë tifoz apo tifoze e vjetër shqiptare, sipas mënyrës sesi ka folur përherë ky popull, në përfundim të sfidës Juventus-Real në Champions. “Haku i tjetrit” ishte pikërisht “haku” i Totenhemit, i eleminuar habitshëm nga torinezët një tur më parë.

Suksesi 3-0 i spanjollëve tregoi jo vetëm se Madridi mbetet skuadra më e fortë e Ligës së Kampionëve, ajo për t’u mundur, por edhe se italianët me shumë gjasë nuk duhej të ishin aspak në çerekfinale.

Dy golat e Ronaldos, njëri më i bukur se tjetri, një rrjetë e Marselos, dhe dy shtylla të Krosit e Kovaçiçit, pa diskutuar për rastet e humbura nga Ronaldo e shokë, ishin treguesi më i mirë se çfarë diference ka kampionia e Italisë me “ajkën” e futbollit europian. Totenhemi luajti si në shtëpi të tij në Torino, dhe e përsëriti spektaklin edhe në Lonër, por i mungoi përvoja për t’u kualifikuar.

Për fatin e keq të Juves, Realit nuk i mungonte aspak përvoja, dhe as talenti pa fund. Trajneri Zidan mbajti në stol Bejlin, Vaskezin apo Asension, po ashtu nuk pati problem mungesën e Naços, por përsëri madrilenët bënë çfarë deshën. Shifrat dhe diferenca në klas do të thonë se Juventusi i ka dhënë lamtumirën Championsit, madje në mënyrë të merituar, edhe më keq sesa humbi finale e vitit të kaluar pikërisht ndaj Realit.

Sfidanti.al