Po të kishte qenë koha e Sër Aleks Fergusonit, nuk do të thoshim kështu, por legjenda skoceze është larguar dhe koha është e Jup Hajnkesit. Sevilja dhe trajneri i saj, Vinçenco Montela, e kuptuan diferencën pasi u përballën edhe me Bajernin në Champions, ndërsa më herët eleminuan Mançester Junajtidin. “Djajtë e kuq” ishin të kalueshëm, edhe nën drejtimin e një njeriu fitues si Zhoze Murinjo, ndërsa bavarezët rezultuan në një mur të pakapërcyeshëm.
Edhe pse spanjollët kaluan të parët në epërsi, me anë të Pablo Sarabias, sërish nuk ia dolën as të merrnin barazimin. Gjermanët barazuan me anë të francezit Riberi (edhe pse ishte autogol i Hezus Navasit), ndërsa pas pushimit fiksuan shifrat e fitores, 2-1 me anë të talentit katalanat, Tiago Alkantara. Ndeshja e dytë në “Alianc Arena” ndoshta do të jetë një formalitet, edhe pse “dhelpra e vjetër” Jup Hajnkes, do të bërtasë fort që yjet e tij ta kenë mendjen në vend dhe ta respektojnë Seviljen deri në fund.
Sfidanti.al