Përmbyset bota në US Open, Osaka mund Serena Uilliamsin

Mosha po ndihet madje shumë fort. Serena Uilliams mbush 37 vjeç për nja tri javë, dhe pesha e viteve mbi supe u ndie tmerrësisht shumë në finalen e US Openit, humbur papritmas me japonezen Naomi Osaka. Vajza 20-vjeçare, padyshim talenti më i madh i botës për femra, i dha fund një turneu të mrekullueshëm, duke dominuar një teniste aq shumë dominuese sa Serena. Osaka mori setet 6-2 e 6-4.

Nuk ishte mbrëmje e lehtë për të, në stadiumin “Artur Ejsh”, aq më tepër që u bë japonezja e parë që fiton një Grand Slem. Përvoja e munguar pritej ta dëmtonte, por më shumë u dëmtua Serena, që i ulëriti keqaz gjyqtarit kryesor duke marrë dënim të rëndë. Humbi një lojë në tavolinë, dhe rrezikoi përjashtimin nga ndeshja.

Osaka ruajti gjakftohtësinë, edhe pse publiku në Nju Jork nuk ishte aspak me të, por me amerikanen e shtëpisë. Kur ajo fitoi ndeshjen dhe mori kupën, mijëra njerëz lëshuan një zhurmë të zgjatur “uuuu” si dhe vërshëllima, diçka e pakuptueshme për një ambient të nivelit kaq të lartë sa një turne Grand Slemi në tenis.

Naomi po nis një karrierë që premton të jetë e jashtëzakonshme, ndërsa Uilliams duket se po e mbyll dalë nga dalë të vetën. Në dy vitet e fundit ka fituar vetëm një Grand Slem, Australian Openin në janar 2017, ndërsa ka humbur dy finale të mëdha radhazi, në Uimbëlldon dhe US Open. Ajo nuk mundi të barazojë rekordin botëror të australianes Margaret Kërt që ka fituar 24 Grand Slem, dhe mbeti në shifrën 23.

Sfidanti.al