Shqiponjat fluturojnë lart, Xhaka kapiten, Shaqiri shkëlqen për Zvicrën

Polemikat ishin të mëdha, por edhe më të mëdhenj ishin dy faktet kokëfortë nga ndeshja e parë e Zvicrës në Ligën e Kombeve. Pikërisht dy lojtarët më të anatemuar, shqiptaro-zviceranët për shenjën e shqiponjës, ishin në qendër të “skenës” në fitoren 6-0 ndaj Islandës.

Granit Xhaka u bë, në mënyrë të pashmangshme, kapiten i helvetëve, një karakter tepër i fortë për të plotësuar mungesën e kapitenit tashmë të tërhequr, Lihtshtajner. Ishte pikërisht ish-ylli i Juves, sot me Arsenalin, që bëri gjithashtu shenjën e shqiponjës, në solidaritet me shokët e skuadrës.

Xherdan Shaqiri ishte më i miri në fushë, në mbrëmjen kur Islanda pësoi humbjen më të rëndë në 17 vitet e fundit. Ylli i Liverpulit shënoi një gol, dhe ishte pjesë e rëndësishme e 3 prej golave të tjerë. Valon Behrami mund të mos jetë më në përfaqësuese, por lojtarët me origjinë shqiptare janë “boll shumë” tek Zvicra.

Albian Ajeti bëri debutimin e shumëpritur në ekipin e parë, dhe e festoi me gol. Tashmë, tek Zvicra dhe Shqipëria janë dy çifte vëllezërish që luajnë në “barrikada” të kundërta, Albian Ajeti me Zvicrën, Arlind Ajeti me Shqipërinë, Granit Xhaka me Zvicrën, Taulant Xhaka me Shqipërinë.

Për Zvicrën, ndaj Islandës, shënoi gjithashtu edhe shqiptaro-zvicerani tjetër, Admir Mehmedi. Zvicra është në një grup tepër të fortë, ku bën pjesë edhe Belgjika, ndaj çdo fitore me golaverazh ka shumë vlerë.

Sfidanti.al