Zotërinj, ja Spanja e Luis Enrikes, prezantim me fitore në “Uembli”

Çfarë Spanje do të kishim parë në Botëror nëse trajneri Lopetegi nuk do të kishte vepruar në atë mënyrë për të bërë kalimin tek Reali? Padyshim një rivale të denjë të Francës apo Belgjikës, veçse ai shans u humb, e tani “furitë e kuqe” po synojnë të dytin. Pas “interrenjumit” të Hierros (interregnium – periudhë mes dy mbretërve), Lopetegin e zëvendësoi Luis Enrike, i cili nuk mund të kishte skenë më të madhe për të prezantuar “kryeveprën” e tij të fundit.

Spanja fitoi 2-1 në “Uembli” të Londrës ndaj Anglisë, në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve. Edhe pse Markus Rashford kaloi vendasit në epërsi në 11’, Saul Nigez barazoi dy minuta më pas, ndërsa Rodrigo i Valencias përmbysi shifrat po në pjesën e parë, në minutën e 32-të. Në fund, Dani Uelbek barazoi për anglezët, por goli i tij u anulua, pasi u quajt faull ndaj portierit De Gea.

Iberikët u treguan superiorë ndaj një Anglie me zemër të madhe, por pa lojën e yjeve spanjollë. Jo më kot formacioni ishte i tillë: De Gea, Karvahal, Ramos, Naço, Alonso, Buskets, Saul, Tiago Alkantara, Aspas, Rodrigo, Isko. Nga stoli erdhën Martinez, Roberto e Asensio, ndërsa nuk pati vend për Lukas Vaskezin, me Zhordi Albën të lënë jashtë skuadre nga Luis Enrike. Mbi 81 000 tifozët në “Uembli” po i vlerësojnë si të drejta fjalët e trajnerit Sauthgejt se “fakti që arritëm në gjysmëfinale në Rusi, nuk do të thotë automatikisht se jemi ndër 4 ekipet më të mirë të botës”.

Sfidanti.al