Partizani kampion, Gega ngriti kultin e ekipit në epokën e yjeve!

Nuk ishte titulli i fituar në mënyrën më dramatike të mundshme, por ishte fundi i dramës më të madhe të një klubi kaq të madh. Partizani u shpall më në fund kampion i Shqipërisë në futboll, për herë të parë pas 26 vjetësh, me pjesën më të madhe të tifozëve në “Selman Stërmasi” që nuk e kanë parë me sy titullin e 1993-it. Ata ndoshta patën diçka më shumë sesa brezi i atëhershëm, pasi kjo “kurorë” u vu në kokë pikërisht në derbin ndaj Tiranës.

Askush nuk mund të verë në dyshim meritat e skuadrës së kuqe, që vërtetoi një aksiomë të hershme të futbollit, atë që triumfet nuk i arrijnë yjet, por skuadra, gjë që ka qenë e vërtetë edhe kur Pele apo Maradona fitonin botërorët. Ish-trajnerit Sulejman Starova i ra goja duke thënë se ekipi i sotëm nuk mund të krahasohet me skuadrën që ai drejtoi dy vjet më parë, dhe që nuk e fitoi dot titullin.

Kjo shton meritat e trajnerit të sotëm, Skënder Gega, edhe pse “Bobi” ka të drejtë kur thotë se një “meritë” të madhe, për dështimin e atëhershëm të Partizanit, patën padyshim arbitrat.

Skënder Gega ka edhe një meritë tjetër. Organika e të kuqve ishte e tillë që mund të thuhet se vetë trajneri ishte “ylli” kryesor, ndërsa në fushë emrat më të rëndësishëm ishin Alban Hoxha apo Trashi. Për teknikun me origjinë nga Tropoja, mund të thuhet ajo që po thuhet për Jurgen Klopin e Liverpulit, pra që kanë kthyer kultin e kolektivit në epokën e dominuar nga yjet. Ndryshimi i vetëm, sot, është që Gega e fitoi titullin, ndërsa Klopi ende jo.

Sfidanti.al