“Fqinjët e zhurmshëm” sot janë zotër në qytetin e Mançesterit!

Nja 10 vjet më parë, Sër Aleks Fergusoni lëshoi një nga batutat e tij të famshme, duke cilësuar Mançester Sitin si “fqinjët tanë të zhurmshëm”. “Qytetarët” po bënin shumë zhurmë se do të kalonin Mançester Junajtidin, skuadrën më të mirë të qytetit, të Anglisë, dhe disa herë të Europës, dhe vetë Fergi sot është dëshmitar se ata po ia dalin. Skocezi i lavdishëm mund të ngushëllohet me faktin se kjo nuk ndodhi sa kohë ishte ai në stol, por edhe për të, ky mund të quhet një ngushëllim fare i vogël.

Mançester Siti fitoi titullin e dytë radhazi, të katërtin në 7 vitet e fundit, dhe të 6-in në historinë e tij, pikërisht në javën e fundit të Premier Ligës, në të njëjtën kohë kur yjet me shumë pretendime të Junajtidit u mundën nga Kardifi, ekipi që kishte rënë nga kategoria! Nuk dihet nëse Ole Gunar Solskjer do të arrijë t’i rregullojë gjërat vitin e ardhshëm.

Pep Guardiola dhe djemtë e tij, ndërkaq, ishin në kohë feste. Fitorja në Brajton nuk ishte dramatike si ajo në 2012 në “Etihad” në sekondat e fundit, madje ishte një paradë festive e yjeve. Me 98 pikë, Siti mund të quhet një nga kampionët më të mirë në historinë e Anglisë, dhe padyshim fitues i sfidës më të madhe në histori, atë ndaj Liverpulit të Jurgen Klopit, që mbylli sezonin me 97 pikë.

Trajneri katalanas ka tani 27 trofe, më shumë sesa Zhoze Murinjo, ndërsa ndjek legjendën Ferguson. “Ky ishte titulli më i vështirë në karrierën time, – pranoi ai, – ishte një sukses i madh, por tani ne duam më shumë”. Tifozët, të lumtur për Premier Ligën, do të kërkojnë që Mançester Siti të jetë më në fund edhe kampion i Europës.

Sfidanti.al