Paris SG, prova e fundit për Nejmarin: Rri me 40 milionë euro rrogë në vit!

As kështu nuk do ta mbërrinte dot vendin e parë, por sërish rritja do të ishte e madhe. Nejmarit mund t’i ofrohet një rrogë më e lartë nga Paris SG, vetëm e vetëm që të mos kthehet tek Barcelona. Mediat spanjolle raportojnë se propozimi i francezëve mund të jetë për rrogë prej 38 milionë eurosh në vit, që do të thotë rreth 730 000 euro në javë. Kontrata aktuale e sulmuesit brazilian vlen deri në 2020 dhe presidenti Al Helaifi, apo drejtori sportiv Leonardo po bëjnë çmos që numri 10 ta rinovojë deri në 2025.

Nejmar edhe tani për tani fiton shumë, rreth 30 milionë euro në vit, duke qenë pas Lionel Mesit, Kristiano Ronaldos dhe Antuan Grizmanit. Paris SG rrezikon të humbasë që të dy yjet e vet kryesorë, Nejmarin dhe Kilian Mbapenë të cilin e kërkon Reali i Madridit. Braziliani, që mbërriti në “Park dë Prensis” për 222 milionë euro në 2017,  ka shënuar 69 gola gjithsej në 80 ndeshje për kampionët e Francës, por ka pasur shumë dëmtime. Vetë këtë sezon, ai ka 18 gola e 10 asistë në 22 përballje.

Ëndrra e Al Helaifit ka qenë dhe mbetet që PSG të bëhet një klub i madh europian, si Reali, Barcelona, Bajerni, Juventusi apo Liverpuli, e të fitojë Championsin, diçka që shpreson ta arrijë me Nejmarin dhe me Mbapenë, si dhe duke marrë edhe yje të tjerë, ndonëse rreziku është i madh që dy sulmuesit kryesorë të kalojnë në Spanjë.

Sfidanti.al