Gjokoviçi kundër vaksinës, por ylli i tenisit mund të rrezikojë karrierën!

Është më i miri se të gjithë këto muaj. Tenisi ka si numrin 1 Novak Gjokoviçin, që fitoi Grand Slemin e fundit, atë të Australian Openit në Melburn, veçse ylli serb mund të rrezikojë karrierën pas deklaratave të fundit. Tenisti 32-vjeçar shkaktoi bujë të madhe dhe krijoi polemika ndërsa u shpreh kundër vaksinimit të detyruar ndaj koronavirusit. Ai ishte duke diskutuar me tenistë të tjerë të njohur apo me sportistë të vendit të tij Serbisë, nëpërmjet rrjeteve sociale, dhe deklaroi se ai vetë nuk do të donte të detyrohej për të bërë vaksinën, apo të detyroheshin të tjerët për një gjë të tillë.

“Personalisht jam kundër vaksinimit dhe nuk dua që dikush të më detyrojë që ta bëj në mënyrë që të kem mundësi të udhëtoj, – u shpreh Nole, – por, nëse e bëjnë të detyrueshëm çfarë duhet të bëjmë? Duhet të marrim një vendim. Unë kam opinionin tim për këtë çështje, dhe nuk e di nëse mendimi im do të ndryshojë më vonë. Ende nuk ka ndonjë vaksinë, por nëse e krijojnë dhe nëse sezoni nis në korrik, gusht apo shtator, ka mundësi që ta bëjnë të detyrueshme”.

Nëse Gjokoviç do të vazhdojë të kundërshtojë vaksinën, që mund të krijohet, ai mund të përjashtohet nga turnetë, pra të rrezikojë karrierën. Me gjasë, në vjeshtë mund të zhvillohen US Openi apo “Rolan Garosi”, ndërsa Uimbëlldoni është anuluar për këtë vit. Gjokoviç ka 17 Grand Sleme, 3 më pak se rekordi i Rozher Federerit, dhe është në konkurrencë me zviceranin dhe me Rafael Nadalin për të qenë më i madhi i të gjitha kohëve në tenis.

Ai u vlerësua shumë në Serbi sepse dhuroi 1 milionë euro për të luftuar koronavirusin.

Sfidanti.al