Historia e tij nisi gati 70 vjet më parë. Stadiumi “Kamp Nou” u konceptua në 1950 pas blerjes së Lashlo Kubalës, u projektua në 1953, nisi të ndërtohej në 1954 e u përurua në 1957, veçse sot, pas kaq shumë dekadash jetë mund të mbetet bosh. Epidemia e koronavirusit, që ka goditur fort sidomos Spanjën, e padyshim edhe Katalonjën, mund ta detyrojë klubin që të marrë vendimin për të luajtur pa spektatorë në “Kamp Nou” deri në shkurt 2021.
Pas më shumë se 20 000 të vdekurve në Spanjë, drejtuesit katalanas kanë dy skenarë, i pari për të luajtur pa tifozë deri në nëntor të këtij viti, nëse sezoni përfundon në gusht, dhe i dyti për të mbyllur dyert deri në shkurt të vitit të ardhshëm, nëse sezoni nuk përfundon. Në një rast të tillë, La Liga do të humbiste 1 miliardë euro, sipas llogaritjeve, dhe Barcelona do të ishte klubi më i goditur.
“Kamp Nou” ka një kapacitet prej gati 100 000 spektatorësh, dhe aty janë luajtur ndeshjet historike të skuadrës katalanase, në Spanjë dhe në kupat e Europës, ndërsa publiku ka pasur fatin të shohë yje të mëdhenj si Kubalën, Suarezin, Krujfin, Romarion, Stoiçkovin, Ronaldinjon, Ksavin, Iniestën apo Mesin. Për fat të keq, një atmosferë e tillë, si në prag të “El Klasikos” së fundit ndaj Realit të Madridit, për shumë kohë nuk do të ekzistojë.
Sfidanti.al