Pa tifozë Barcelona-Napoli, por edhe dy javë të La Ligës!

Një tren i ardhur nga Milano në Napoli, na bën të kuptojmë se frika duhet të ekzistojë. Mediat italiane raportojnë sesi qytetarët mbërrijnë nga qyteti më i infektuar nga koronavirusi në Europë, dhe nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli, ndaj edhe ëshët e kuptueshme që në Barcelonë nuk i duan tifozët napolitanë. Jo vetëm ata, por edhe tifozët vendas, pasi vendimi në Katalonjë dhe në Spanjë është që ndeshja e javës së ardhshme në Champions, Barcelona-Napoli të luhet pa publik, besohet edhe pa praninë e mediave, me përjashtim të kamerave të transmetuesit televiziv.

Izolimi në Ligën e Kampionëve ka nisur që me duelin e sotëm në Spanjë, Valencia-Atalanta në oren 21:00, ndërsa skuadra italiane shkoi në Iberi nën masa të forta sigurie dhe profilaksie, e pritur nga fare pak tifozë. Pa tifozë do të jenë edhe ndeshjet e Ligës së Europës, ku sidomos frika është e madhe për duelin e Milanos, Inter-Getafe, dhe skuadra spanjolle do të jetë në Itali vetëm për 12 orë ditën e enjte.

Po pa tifozë edhe ndeshja Sevilja-Roma, dhe nga Anglia njoftojnë se një vendim i tillë është marrë edhe për ndeshjen që Mançester Junajtidi do të luajë gjithashtu në Ligën e Europës, në Austri ndaj LASK-ut të Lincit. Spanja ka vendosur që të ndjekë shembullin e Italisë, të paktën për t’i luajtur ndeshjet e La Ligës pa spektatorë, duke nisur me sfidën e sotme në orën 20:00, mes Eibarit dhe Sociedadit.

Sfidanti.al