Nga Lukaku tek Espozito, ja pse Konte duhet të besojë te ky Inter!

Vlerësimi ishte me notën 8.5, që në Itali është tepër e lartë. Skuadrës milaneze iu kthye në formën më të mirë sulmuesi kryesor, Romelu Lukaku, por momenti më domethënës ishte kur do të gjuhej penalltia. Edhe pse konkurron për Këpucën e Artë në Serinë A, belgu u tërhoq si altruist dhe ia la favorin një 17-vjeçari. Falë tij, Sebastiano Espozito u bë lojtari më i ri në historinë e Interit që shënoi në “San Siro”. Fitorja ndaj Xhenoas ishte 4-0, misioni u krye dhe zikaltërit do të jenë në Krishtlindje e Vit të Ri në krye të renditjes, së bashku me Juventusin.

“Jemi një skuadër e jashtëzakonshme, – tha Antonio Konte, – nuk ishte e lehtë ndaj Xhenoas, por ishim ne që e bëmë të tillë. Për Sebin (Espoziton) e kisha thënë që më parë, që kur u dëmtua Sançezi, se ai ishte gati. Duhet t’u them faleminderit djemve të mirë, që e mbyllëm vitin në krye bashkë me Juven. Kishim mungesa, por ata që luajtën dhanë maksimumin, edhe pse Galiardini, Vesino e Borha Valero nuk ishin në gjendje shumë të mirë fizike”.

Një Inter i tillë është rivali i Juves, një kundërshtar i denjë ashtu siç ishte Napoli i Sarrit dy vjet më parë. Skuadër e bashkuar, me zemër të madhe, siç e tregoi Lukaku në rastin e penalltisë, ndërsa sulmuesi belg shënoi 2 gola e shërbeu 1 asist. Konte kërkon nga lojtarët që edhe gjatë 8 ditëve të pushimit, të mendojnë për të, pra të mbajnë formën sportive dhe të mos e teprojnë.

Sfidanti.al